Takim me fokus rritjen e bashkëpunimit midis strukturave të MC-së të Qarkut Durrës

Bazuar në Planin e Punës së Drejtorisë së Përgjithshme të MZSH-së, sot në Institucionin e Prefektit të Qarkut Durrës u mbajt takimi me fokus rritjen e bashkëpunimit midis strukturave të MC-së të Qarkut Durrës për përballimin e situatave të zjarreve gjatë sezonit veror, ku ishin të pranishëm: Drejtori i Përgjithshëm për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi në Ministrinë e Brendshme Z.Arben Cara, Drejtues të MZSH-ve në Bashkitë e Qarkut, Shefat e Komisariateve të qarkut, si dhe Përgjegjesat e EC të Bashkive të Qarkut.

Drejtori i Përgjithshëm për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin Z.Arben Cara kërkoi nga të pranishmit:

Rritjen e bashkëpunimit midis strukturave të qarkut për përballimin e situatave të zjarreve në pyje gjatë sezonit veror;

Forcimin e masave parandaluese dhe përballimin e situatave të pritshme të mundshme të zjarreve në pyje dhe kullota, në zbatim të udhëzimeve të drejtorisë së MZSH-së;

Rritjen dhe forcimin e forcës reaguese, gatishmërisë së punonjësve, automjeteve, mjeteve dhe pajisjeve të ndërhyrjes zjarrfikëse;

Ngritjen dhe funksionimin e stacioneve provizore zjarrfikëse në zonat turistike bregdetare, për periudhën e sezonit turistik.

Synimi kryesor i këtij takimi ishte forcimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimi i punës për “parandalimin” si një investim më kosto efektive në terma afatgjatë. Në takim u theksua se ndërtimi i urave të bashkëpunimit midis institucioneve, sinjalizimi i hershëm, koordinimi me Strukturat Vendore, Njësitë Administrative, Kryetarët e Fshatrave, dhe Policisë së Shtetit janë kushte të domosdoshme për të bërë të mundur zvogëlimin e fatkeqësive natyrore kryesisht nga rreziku i zjarreve.

Gjatë takimit u trajtuan probleme të koordinimit për mirëorganizimin e operacioneve nga drejtuesit operacional të cilët duhet të shfrytëzojnë maksimalisht resurset njerëzore e logjistike si dhe rritjen e fuqisë zbuluese të zjarrvënieve të qëllimshme, dhe vënien para përgjegjësisë ligjore e personave përgjegjës.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Durrës, është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë aktorët dhe strukturat dhe po ndjek hap pas hapi dinamikat e çdo lloj situate që paraqitet në territor, duke raportuar dhe marrë parasysh kërkesat për mbështetje për çdo rast vështirësie ku paraqitet e nevojshme.