Kontrolle në terren për verifikimin e VENDBAZIMEVE të ngritura sipas kritereve të përshkruara në VKM-t përkatëse.

Në zbatim të detyrimeve ligjore që lindin në drejtim të sigurisë në zonat bregdetare gjatë sezonit turistik, Task-Forca Ndërinstitucionale për Sezonin Turistik Veror 2024, me urdhër të Prefektit të Qarkut Durrës Nr.33, datë 27.05.2024, ka vijuar kontrollin në terren për verifikimin e VENDBAZIMEVE të ngritura sipas kritereve të përshkruara në VKM-t përkatëse.

Kontrolli ka vijuar në të gjitha vendbazimet që gjenden në vijën bregdetare nga Ura e Dajlanit deri tek Përroi i Agait. Kontrolli është kryer nga grupi i Task-Forcës i përbërë nga: Institucioni i Prefektit, Policia Vendore e Qarkut Durrës, Policia Vendore e Kufirit dhe Migracionit, Drejtoria e Përgjithshme Detare, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Policia Bashkiake Durrës.

Ky inspektim ka si qëllim garantimin e një sezoni turistik të përshtatshem dhe sigurtë për të gjithë pushuesit, duke kërkuar në mënyrë të veçantë vëmëndje të shtuar në garantimin e sigurisë së jetës.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Durrës përmes mekanizmit Task-Forcë të ngritur për këtë qëllim do të vazhdojë kontrollin dhe monitorimin gjatë gjithë sezonit jo vetëm në zonën e plazhit të Durrësit, por edhe në të gjitha destinacionet e tjera turistike në të gjithë territorin e qarkut.