Takim i dytë i Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore

Prefekti i Qarkut Durrës Z.Emiljan Jani në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore, zhvilloi mbledhjen e dytë për këtë vit të këtij Komiteti. Në këtë takim ishte e pranishme Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Znj. Daniel Pirushi, anëtarët e Komitetit, përfaqësues të ADZM, si dhe përfaqësues të institucioneve që lidhen me menaxhimin e zonave të mbrojtura të Qarkut Durrës.

Fokusi kryesor në këtë takim ishte prezantimi me risitë e reja që sjell ligji “Për Zonat e Mbrojtura”, i amenduar në fillim të këtij viti, me synimin për të vendosur një ekuilibër midis zonave të mbrojtura dhe nevojës që kanë komunitetet dhe pushteti vendor për zhvillimin ekonomik të territoreve të tyre, si dhe për një riformulim e qartësim të aktiviteteve të lejuara në këto zona.

Synimi i hartimit të instrumentave të tillë, është nxitja e zbatimit të modeleve të qëndrueshme të zhvillimit ekologjik dhe ekonomik në zonat e mbrojtura apo parqet kombëtare, ruajtja e ekosistemit dhe diversitetit biologjik, si dhe reduktimi i presionit jo të qëndrueshëm apo abuziv mbi burimet natyrore.

Ndër të tjera u bë një panoramë e situatës aktuale, puna e bërë gjatë 4- mujorit të parë të vitit, u diskutua mbi gjendjen e masave mbrojtëse dhe parandaluese, për situatat e zjarreve, gjendja e infrastrukturës rrugore, erozioni, aksionet e pastrimit si dhe rivitalizimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore si asete që rrisin atraksionet turistike të qarkut.

Të pranishmit adresuan disa nga problematikat e konstatuara gjatë punës së tyre për të cilat Prefekti kërkoi angazhim dhe bashkëpunim maksimal të të gjitha strukturave dhe institucioneve përgjegjëse.

U caktuan detyrat përkatëse për çdo strukture mbi marrjen e masave të nevojshme në këtë prag fillimi të sezonit veror, me qëllim mbrojtjen dhe rritjen e vlerave të këtyre zonave të mbrojtura.