Nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Institucionit të Prefektit të Qarkut Durrës Z.Edison Jonuzi njëkohësisht dhe Kryetar i Tryezës Teknike Anti Trafik, më prezencë të grupit të ekspertëvë nga Greta-s përgjegjës për monitorimin e Konventës së Këshillit të Evropës, për Parandalimin dhe Trafikimin e Qënieve Njerëzore, u zhvilua një takim i cili u nda në dy sesione.
Në sesionin e parë morën pjesë punonjës të Bashkive të Qarkut Durrës, punonjës të Njësive të Mbroitjes së Fëmijëve, përfaqësues nga Arsimi, Shëndetësia, Shërbimet Sociale në Bashki dhe OJF. Në sesionin e dytë ishin të pranishëm përfaqësues nga Drejtoria Vendore e Policisë, përfaqësues nga Drejtoria e Policise së Kufirit dhe Migracionit, perfaqësues nga Prokuroria, Inspektoriati i Punës dhe Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror.
Këto takime shërbyen si instrumenta ku të gjithë aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë pjesë e mekanizmit anti-trafik u përfshinë në një vleresim githëpërfshirës dhe të hollësishem nga grupi i ekspertëvë Greta-s mbi situatën në lidhje me trafikimin e personave, Identifikimin e problemeve parësore në nivel qarku, nevojat specifike dhe tendencat e fenomenit të trafikimit të personave, sfidat e hasura gjatë ushtrimit të roleve dhe përgjegjësive të tyre.
Gjatë këtyre takimeve të zhvilluara u synua analizimi i punës së bërë dhe gjendjes aktuale përmes të dhënave statistikore zyrtare me qëllim krijimin e një qasje të frytshme dhe të harmonizuar ndërinstitucionale.
Gjithashtu u mundësua identifikimi i sfidave që duhen adresuar të cilat do të përmirësojnë efikasitetin dhe efektivitetin e institucioneve të përfshira, në funksion të parandalimit të këtij fenomeni që ende sot konsiderohet shqetësues, pavarësisht mekanizmave ligjorë dhe institucionalë të ngritur, për ta luftuar atë.