Prefekti i Qarkut Durrës Z.Emiljan Jani zhvilloi ditën e sotme takimin e parë të Komitetit Rajonal të Luftës kundër Trafikimit të Personave në qarkun Durrës për vitin 2024.
Ky takim vjen në kuadër të analizës së punës 1 vjeçare të veprimtarisë antitrafik, gjithashtu dhe si një aktivitet gjtihë përfshirës i cili ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe bashkëveprimit ndërinstitucional në mbrojtje të viktimave të krimit në “Javën Kombëtare Ndërgjegjësuese në Mbrojtje të Viktimave të Krimit”.
Në takim ishin të pranishëm anëtarët e Komitetit Rajonal Antitrafik, Drejtues e përfaqësues të organeve ligjzbatuese, Perfaqësues të OJF-ve si dhe një grup të rinjsh aktivë të cilët u bashkuan njëzëri me institucionet nën slloganin #nëmbrojtjetëviktimavetëkrimit
Prefekti i Qarkut në fjalën e tij bëri analizën e punës njëvjeçare të këtij Komiteti për vitin 2023, duke vlerësuar kontributin e përbashkët dhe bashkëpunimin shumë të mirë që ekziston në koordinimin e veprimeve të drejtuesve të institucioneve pjesëmarrëse në uljen e fenomenit krahasuar me një vit më parë.
Trafikimi i personave ende sot konsiderohet një fenomen shqetësues, përpos mekanizmave ligjorë dhe institucionalë të ngritur për ta luftuar atë. Pavarësisht numrave në ulje të rasteve të viktimave apo viktimave të mundshme të trafikimit fenomeni mbetet ende kërcënim potencial për shoqërinë .
Në takim të rinjtë pjesëmarrës pasqyruan problematikat edhe sfidat me të cilat ata përballen në mjediset e tyre shkollore. Sugjerimet e tyre u mirëpritën nga të pranishmit të cilët diskutuan mbi masat konkrete që janë marrë dhe priten të ndërmerren në gjetjen e zgjidhjeve konkrete për këto çështje.
Në përfundim Prefekti vuri theksin tek rëndësia e parandalimit të trafikimit i cili kërkon një bashkërendim institucional të vazhdueshëm dhe përfshirje integrale të shoqërisë civile dhe organizatave të ndryshme përmes fushatave sensibilizuese e informuese deri tek rritja e kapaciteteve të personave përgjegjës për tu njohjur me proçedurat standarde të veprimit në raste të caktuara.
Sfida e të gjithëve ne, është të ndërtojme një klimë solidariteti në komunitetet tona, duke garantuar jo vetëm ofrimin e shërbimeve sa më cilësore të detyruara nga institucionet, por edhe duke kontribuuar aktivisht në sigurimin e burimeve alternative që ofrojnë përkrahje dhe kujdes të vazhdueshëm për ta, si shenjë e një bashkëjetese komunitare që nuk përjashton askënd nga vëmendja dhe kujdesi, duke filluar nga fëmijët dhe çdo kategori tjetër sociale në nevojë.