Sot më datë 17.11.2023, në Institucionin e Prefektit të Qarkut Durrës u zhvillua një tryezë pune mbi mbështetjen teknike në fushën e Mbrojtjes Civile në nivel Qarku dhe Bashkie, e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile si autoriteti koordinues dhe mbikëqyrës, në zbatim të ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”, neni 23, dhe VKM nr. 747, datë 20.11.2019 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile”, për garantimin e bashkërendimit ndërinstitucional me pushtetin vendor në fushën e mbrojtjes civile, e cila ka miratuar dokumentet strategjike në nivel qëndror me mbështetjen e ekspertizës teknike të projektit RESEAL-UNDP.
Në takim ishin të pranishëm Prefekti i Qarkut Durrës Z. Emiljan Jani, Znj.Adisa Bala- Drejtore e Drejtorisë së Zvogëlimit të Riskut, Fatkeqësive dhe Parandalimit në AKMC, Z.Maksimiljan Dhima i deleguar i Koordinatorit të Projektit “RESEAL” UNDP Shqipëri, Nën Kryetari i Bashkisë Durrës Z.Renis Mullaj, Përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Drejtues dhe Specialistë të MC pranë bashkive të qarkut.
Bazuar në detyrimin ligjor për hartimin e këtyre dokumenteve në nivel qarku dhe bashkie, si dhe në referencë të modelit të pilotuar në Qarkun Fier dhe bashkitë e tij, nga stafi i AKMC-së u realizua prezantimi i:
• Dokumentave Strategjike (AKMC) nga Sektori i Koordinimit Ndërinstitucional dhe Zvogëlimit të Risqeve dhe Fatkeqësive:
• Vlerësimi i Riskut nga Fatkeqësitë në nivel qendror;
• Metodologjia për Vlerësimin e Riskut nga Fatkeqësitë në nivel Qarku dhe në nivel Bashkie;
• Mbi Bazën e të dhënave të humbjeve nga fatkeqësitë nga Drejtoria e Rehabilitimit dhe Kompensimit.
• Strategjia Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë 2023-2030;
• Plani Kombëtar për Emergjencat Civile dhe Metodologjia për hartimin e Planeve të EC;
Prefekti në fjalën e tij falenderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe angazhimin e vazhdueshëm gjatë gjithë këtij proçesi, i cili synon forcimin e sistemit të MC, duke sjellë përvojat dhe praktikat më të mira në fushën e mbrojtjes civile.
Duke marrë parasysh faktin që qarku Durrës ndodhet në zonat me risk të lartë, nisur edhe nga përvojat e deritanishme dhe problematikat për shkak të tërmetit, përmbytjeve, zjarreve vlerësoi maksimalisht nismën e ndërmarrë.
Prefekti ofroi mbështetje dhe koordinim ndërinstitucional në funksion të punës së përbashkët në ndërtimin e mekanizmit të zvogëlimit të riskut dhe forcimit të kapaciteteve reaguese, parandaluese për garantimin e mirëqënies së qytetarëvë tanë.