Sot, më datë 21.03.2023 në Institucionin e Prefektit të Qarkut Durrës u zhvillua takimi i Task-Forcës Vendore Anti-Kanabis, në kuadër të intensifikimin e masave dhe zbatimit të detyrimeve të përcaktuara në Strategjinë Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2021-2025, Plan – Veprimit Vendor, për sensibilizimin e komunitetit, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Në këtë takim ishin të pranishëm: Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Z. Muhamet Rrumbullaku, Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Z. Neritan Nallbati, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Z.Skënder Hita, Prokurorët e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Krujë, Shefat e Komisariateve Durrës,Krujë, Shijak dhe të gjithë anëtarët e Task-Forcës Vendore të cilët kanë përgjegjësi në monitorimin dhe kontrollin e territorit të Qarkut Durrës.
Takimi u drejtua nga Prefekti i Qarkut Durrës Z.Emiljan Jani dhe kishte si qëllim intensifikimin e masave, bashkërendimin e veprimtarisë së Institucioneve Shtetërore ligjzbatuese, Degëve Territoriale dhe Njësive të vetqeverisjes vendore në kuadër të luftës kundër kultivimit e trafikimit të bimëve Canabis – Sativa.
Prefekti i Qarkut bëri një përshkrim të punës që është bërë deri tani në drejtim të parandalimit, ndërgjegjësimit dhe kontrollit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit, ku u kërkoi të gjithë anëtarëve të Task Forcës një ritëm të lartë pune, një intensitet të lartë kontrollesh në terren duke shfrytëzuar të gjithë sistemet e informacionit të cilat do bëjnë të mundur një kontroll të plotë e një monitorim rigoroz të territorit.
Theksi kryesor në këtë takim u vendos në ngritjen e grupit të punës për të vazhduar aksionin sensibilizues në terren ku u caktuan detyrat e çdo institucioni me qëllim rritjen e bashkëpunimit, identifikimin, zbulimin e individëve apo grupeve aktive kriminale që merren me këtë aktivitet të paligjshëm.
Anëtarët e Task-Forcës diskutuan për punën dhe aktivitetin e tyre në vazhdimësi në interes të luftës kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit ku u nenvizua se kohët e fundit edhe metodat e kultivimit të kanabisit kanë ndryshuar dhe janë sofistikuar. Tashmë subjektet kriminalë kanë filluar të shfrytëzojnë ambjentet e mbyllura siç janë shtëpi apo tunele, gjë e cila e bën më të vështirë zbulimin e tyre.
Në përfundim Prefekti kërkoi nga të gjithë institucionet përmbushjen e detyrimit ligjor në drejtim të shkëmbimit të informacioneve dhe kontrollit të territorit duke ushtruar kompetencat ligjore, lëndore dhe territoriale në ushtrimin e detyrave të përcaktuara më lart dhe sipas specifikimeve për përmbushjen me sukses të këtij prioriteti kombëtar kaq të rëndësishëm.