Analiza e punës së Institucionit të Prefektit të Qarkut Durrës për vitin 2022.

Sot, më datë 02.02.2023, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Durrës Z.Emiljan Jani u zhvillua analiza e punës së Institucionit të Prefektit të Qarkut Durrës për vitin 2022.

Në këtë analizë morën pjesë, Zv/Ministri i Brendshëm Z.Andi Mahile, Përgjegjësia e Sektorit të Koordinimit me Prefekturat dhe Emergjencat në Ministrinë e Brendshme Znj.Lindita Mukaj, Nën Prefekti Krujë Z.Xhek Xheka, Specialist i Sektorit të Koordinimit me Prefekturat dhe Emergjencat në Ministrinë e Brendshme Z.Gazmend Vogli.

Prefekti i Qarkut përmes prezantimit të materialit të analizës vjetore pasqyroi në mënyrë të hollësishme veprimtarinë e kryer në realizmin e objektivave mbi implementimin dhe zbatimin e prioriteteve dhe politikave të Qeverisë në Qarkun Durrës për vitin 2022.

Sipas tij, puna e përditshme një vjeçare, ka konsistuar në ndërtimin e një marrëdhënie bashkëpunimi reciprok si me Institucionet Qëndrore në Nivel Vendor ashtu edhe me Organet e Vetëqeverisjes Vendore, duke bashkërenduar gjithashtu veprimtaritë e tyre, me qëllim realizimin e objektivave qeverisëse, ruajtjen e rendit dhe sigurisë në qark, rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj publikut, parandalimin dhe menaxhimin e emergjencave, kontrollin ligjor mbi të gjithë territorin për një qeverisje të kujdesshme e të drejtë mbi zbatueshmërinë e ligjit, parandalimin e fenomeneve negative, ruajtjen e pasurisë publike e private, rritjen e sigurisë ushqimore, rritjen e nivelit të sigurisë në rrugë, ofrimin e shërbimeve arsimore dhe shëndetësore cilësore, mbrojtjen e mjedisit i cili vijon të mbetet prioritet kombëtar, si dhe monitorimin e çdo lloj veprimtarie dhe angazhimi tjetër për të cilat Institucioni i Prefektit është ngarkuar me ligj për të ndjekur.

Gjatë analizës Prefekti në mënyrë të veçantë nënvizoj sfidat e shumta me të cilat jemi përballur këtë vit, si dhe përpjekjet e administratës për tu dhënë zgjidhje me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal çdo problematike dhe vështirësie.

Gjithashtu, gjatë vitit 2022 Institucioni i Prefektit ka qenë maksimalisht i angazhuar, krahas realizimit të detyrave sipas misionit dhe fushave të përgjegjësive të secilit sektor, rëndësi e veçantë i është dhënë funksionimit pranë tij, të strukturave dhe mekanizmave të përhershme dhe të përkohshme Task-Forcë, me përbërje ndërinstitucionale me qëllim koordinimin e veprimeve, menaxhimin e problemeve dhe situatave të veçanta duke luajtur një rol kryesor në arritjen e zgjidhjeve konstruktive, të përbashkëta dhe gjithëpërfshirëse që do t’i shërbejnë zhvillimit ekonomik e social, të qarkut Durrës.

Kjo analizë, nxorri në pah veprimtarinë e Institucionit të Prefektit për vitin 2022, ushtrimin e përgjegjësive të tij, mënyrën e ndërtimit të marrëdhënieve me institucionet qëndrore e vendore gjithashtu u vendosën dhe prioritet e punës për vitin 2023, ku ndër të tjera në mënyrë të veçantë u theksua bashkërendimi i punës me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe strukturat e tjera vendore, në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të datës 14.05.2023.

Në përfundim analizën e përshëndeti dhe Zv/Ministri i Brendshëm Z.Mahile i cili krahas vlerësimit pozitiv për punën dhe arritjet e institucionit të Prefektit të Qarkut Durrës, shprehu dhe sugjerimet e tij në drejtim të rritjes së profesionalizmit, për të zhvilluar dhe promovuar vizione dhe standarte të reja në funksion të përmirësimit të punës së përbashkët.