Takim me anëtarët e Tryezës Teknike (KRAT)

Sot më datë 02.06.2022 në Institucionin e Prefektit të Qarkut Durrës u zhvillua takimi i rradhës me anëtarët e Tryezës Teknike (KRAT).

Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues anëtarë të kësaj Tryeze Teknike, nga Bashkia Durrës, Shijak, Drejtoria Vendore e Policisë, Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor, Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror, Drejtoria Rajonale e Punësimit, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional, Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore si dhe Organizata World Vision.

Prefekti i Qarkut Durrës bëri një përmbledhje të situatës dhe vlerësoi punën e bërë, angazhimin dhe impenjimin serioz në Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, ku rezultojnë disa raste të personave viktimë e mundshme trafikimi të cilët janë trajtuar dhe kanë marrë të gjithë ndihmën e nevojshme nga strukturat e KRAT.Prefekti vuri theksin tek rëndësia e parandalimit të trafikimit i cili kërkon një bashkërendim institucional të vazhdueshëm dhe përfshirje integrale të shoqërisë civile dhe organizatave të ndryshme.

Gjatë takimit u zhvilluan diskutime të hapura, ku anëtarët shprehën sugjerimet e tyre në funksion të punës së përbashkët.Në fund të mbledhjes u la detyrë që në takimin e rradhës të gjithë anëtarët e Tryezës Teknike të raportojnë detyrat, aktivitetet sensibilizuese dhe masat e marra në prag të sezonit turistik.