Sot më datë 24.05.2022 në kuadër të Planit Kombëtar të Pastrimit të nisur që në muajin Nëntor të vitit të shkuar e në vazhdim, u zhvillua një aksion i përqëndruar i pastrimit në zonën bregdetare.
Ky aksion vjen edhe në vazhdën e masave të marra në drejtim të fazës parapërgatitore për sezonin e ri turistik 2022, pra për ti dhënë dorën e fundit pastrimit të zonave bregdetare.
Në këtë aksion mori pjesë Kryeministri Z.Edi Rama, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Znj. Mirela Kumbaro, Ministri i Mbrojtjes Z. Niko Peleshi, Deputetët e Qarkut Durrës znj. Milva Ekonomi, Z. Jurgis Çyrbja, Kryetarja e Bashkisë Durrës Znj. Emiriana Sako, N/Prefekti i Krujës Z. Xhek Xheka, Drejtori i Agjensisë Kombëtare të Bregdetit Z. Ledion Lako.
Aksioni u përqëndrua në zonën bregdetare dhe pyjore të Gjirit të Lalëzit pranë Kompleksit San Pietro me një angazhim të plotë të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit; strukturave, forcave të armatosura pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes; Prefekturës së Qarkut Durrës, Bashkisë Durrës; Agjensisë Kombëtare të Bregdetit; Administratës së Zonave të Mbrojtura; Ndërmarjes Shërbimeve Komunale Durrës; Ndërmarrja Rruga; UKD.
Në këtë aksion u angazhuan mbi 150 persona, nga ku 50 ishin nga Forcat e Armatosura; u angazhuan 3 kamiona ushtrie, 1 buldozier ushtrie, 3 kamioncina, 1 fadromë, 1 autobot. Forcat e angazhuara ishin të pajisura me mjete pastrimi (doreza, thasë mbetjesh, krehëra, lopata etj). Nga aksioni u evaduan mbi 100 thasë mbetjesh, si dhe u hoqën rreth 30 Ton mbetje. Aksioni do të përqëndrohet në ditët në vazhdim edhe në grykëderdhjen e lumit të Ishmit, ku do të jenë të pranishëm edhe strukturat e Forcave të Armatosura me mjetet e tyre.