Sot më datë 10.02.2022 u zhvillua takimi i Task-Forcës Vendore Anti-Kanabis në Qarkun Durrës, në kuadër të zbatimit të detyrimeve të përcaktuara në Strategjinë Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2021-2025, Planit të Veprimit të Institucionit të Prefektit, si dhe Planit Kalendarik të takimeve të Drejtorisë Vendore të Qarkut Durrës për sensibilizimin e komunitetit për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2022. Takimi u drejtua nga Prefekti i Qarkut Durrës Z. Roland Nasto, ku në takim ishin të pranishëm: të gjithë Anëtarët e Task-Forcës Vendore (Drejtorët e Institucioneve, nën/Kryetarët e Bashkive, Institucioneve ligjzbatuese) dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Z. Neritan Nallbati, të cilët kanë përgjegjësi në monitorimin dhe kontrollin e territorit të Qarkut Durrës. Ky takim kishte si qëllim sensibilizimin e punës, bashkërendimin e veprimtarisë së Institucioneve Shtetërore ligjzbatuese, Degëve Territoriale dhe Njësive të vetqeverisjes vendore në kuadër të luftës kundër kultivimit e trafikimit të bimëve Canabis – Sativa.Prefekti i Qarkut bëri një përshkrim të punës që është bërë deri më tani në drejtim të parandalimit, ndërgjegjësimit dhe kontrollit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit, ku u kërkoi të gjithë anëtarëve të Task Forcës një ritëm të lartë pune, një intensitet më të lartë kontrollesh në terren duke shfrytëzuar të gjithë sistemet e informacionit të cilat do bëjnë të mundur një kontroll të plotë e një monitorim rigoroz për këtë çështje kaq të rëndësishme, si dhe një angazhim maksimal nga të gjithë.
Prefekti në këtë takim insistoi në përmbushjen e disa prioriteteve kryesore të cilat janë: – Kontrolli Periodik i territorit dhe identifikimit në fazat e hershme të kultivimit të bimëve – Ndërgjegjësimin dhe krijimin e mundësive praktike për sigurimin e informacionit – Forcimi i bashkëpunimit me Anëtaret e Task-Forcës- Bashkëpunimi i ngushtë me Drejtorinë Vendore të Policisë së Qarkut dhe organet ligjzbatues Theksi kryesor në këtë takim u vendos në ngritjen e grupit të punës për të vazhduar aksionin sensibilizues në terren ku u caktuan detyrat e çdo institucioni, në planin e përbashkët ndërinstitucional dhe në rritjen e bashkëpunimit, identifikimin, zbulimin e individëve apo grupeve aktive kriminale që merren me këtë aktivitet të paligjshëm. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Z. Neritan Nallbati kërkoi bashkëpunimin, angazhimin, shkëmbimin e informacioneve, analizimin e situatës, kontrollin e territorit me grupe të përbashkëta, dhe shpalosi planin e masave dhe të takimeve për vitin 2022. Në takim diskutuan dhe anëtarët e Task-Forcës për punën dhe aktivitetin e tyre në vazhdimësi në interes të luftës kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit. Gjithashtu nga Prefekti iu kërkua të gjithë institucioneve detyrimi ligjor në drejtim të shkëmbimit të informacioneve dhe kontrollit të territorit duke ushtruar kompetencat ligjore, lëndore dhe territoriale në ushtrimin e detyrave të përcaktuara më lart dhe sipas specifikimeve, themelimin e bashkëpunimit për përfundimin me sukses të këtij prioriteti të rëndësishëm.