Ceremonina e ndarjes së çmimeve për bashkitë fituese, të cilat kanë aplikuar në “Konkursin e Praktikave të Mira 2020”

Prefekti i Qarkut Durrës Z.Roland Nasto në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV), me mbështetjen e Projektit Bashki të Forta, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), organizoi sot në praninë e Kryetarëve të Bashkive Durrës dhe Shijak, Kryetarit të Këshillit të Qarkut Durrës, Kryetarit të Këshillit Bashkiak Durrës, ceremonine e ndarjes së çmimeve për bashkitë fituese, të cilat kanë aplikuar në “Konkursin e Praktikave të Mira 2020”. Prefekti i Qarkut i dorëzoi Kryetares në detyre të Bashkisë Durrës, Znj.Emiriana Sako çmimin e publikut për praktikat e mira në administrimin e arsimit parashkollor te fituar në konkursin kombëtar të praktikave të mira 2020. Kryetarit të Bashkisë Shijak, Z.Elton Arbana dy çmime, çmimin e publikut dhe çmimin e jurisë në kategorinë Emergjencave Civile, menaxhim të suksesshëm të situatës shkaktuar si pasojë e tërmetit të Nëntorit 2019, si dhe për bashkëpunimin me Institucionet Qëndrore dhe Donatoret. Synim i këtij edicioni ishte evidentimi i bashkive inovatore dhe të forta. Pjesëmarrëse në këtë edicion ishin 38 bashki, të cilat aplikuan në katër kategori. Publiku i gjerë pati mundësi të përzgjidhte fitueset e katër çmimeve për praktikën më të mirë, duke votuar online për secilën kategori. Prefekti i Qarkut përgëzoj punën e mirë të stafeve të bashkive Durrës dhe Shijak që sollën në qarkun tonë këto çmime të cilat na shtojnë përgjegjësinë dhe motivimin për të vijuar me më shumë intensitet punën e përditshme në shërbim të qytetarëve.