Në kuadër të datës 13 Tetor, “Ditës Ndërkombëtare për Zvogëlimin e Rreziqeve nga Fatkeqësitë” dhe aktiviteteve që do të organizohen për këtë qëllim, në Institucionin e Prefektit të Qarkut Durrës sot më datë 29.09.2020, u zhvillua një takim koordinues paraprak ku ishin të pranishëm përfaqësues të Agjensisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Kryqit të Kuq Shqiptar dhe përfaqësues nga Bashkia Durrës.Në këtë takim paraprak u realizua një paraqitje e detajuar e programit informues të miratuar nga AKMC, “Mbi Mbrojtjen Civile dhe Rreziqet Kryesore në Shqipëri” i shoqëruar me bazë materiale të pasur dhe fletëpalosje. Gjithashtu gjatë takimit u diskutua mbi objektivat kryesore dhe përmirësimin e punës së përbashkët në përcaktimin e informacionit sensibilizues që do të paraqitet në këto aktivitete. Institucioni i Prefektit të Qarkut Durrës do të jetë prezent në aktivitetet që do të zhvillohen në këtë kuadër në Sheshin Liria si dhe në shkollat e mesme e 9- vjeçare të qarkut, për të folur dhe informuar mbi rolin që ka çdo qytetar si pjesë e sistemit të Mbrojtjes Civile në Republikën e Shqipërisë, strukturat që janë pjesë e këtij sistemi dhe rreziqet natyrore që prekin vëndin tonë.