Konstituimi i Këshillit të Basenit Ujor Ishëm.

Prefekti i Qarkut Durrës Z. Roland Nasto në bashkëpunim me Zyrën e Administrimit të Burimeve Ujore Ishëm-Erzen-Mat, zhvilloi mbledhjen e parë të Këshillit të Basenit Ujor Ishëm në zbatim të Vendimit nr.696 datë 30.10.2019 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kufijve territorialë, hidrografikë të baseneve ujore në Republikën e Shqipërisë dhe të përbërjes së këshillit të secilit prej tyre” si dhe Vendimit nr 6 datë 12.06.2019 i KKU-së “Për miratimin e rregullores së Këshillit të Basenit Ujor”

Mbledhja u drejtua nga Z.Roland Nasto në cilisinë e kryetarit të Këshillit të Basenit Ujor Ishëm me rend dite: Konstituimin e Këshillit të të Basenit Ujor KBU Ishëm, më pas të pranishmit morën 6 vendime në lidhje me çështjet përkatëse të rendit të ditës.

Këshilli i Basenit Ujor Ishëm kryesohet nga Prefekti i Qarkut Durrës, dhe ka në përbërje të tij 15 anëtarë- përfaqësues në nivele drejtuese të larta nga bashkitë, drejtues nga institucione lokale dhe përfaqësues nga grupe interesi. Mbledhjet do të zhvillohen jo më pak se një herë në dy muaj në varësi të problematikave që mund të shfaqen.

Gjatë takimit pati diskutime ndërmjet pjesëmarrësve të cilët ngritën disa pyetje në lidhje me funksionimin e këtij këshilli.

Prefekti në fjalën e tij theksoi rëndësinë e këtij takimi dhe kërkesën e vazhdueshme për një koordinim dhe bashkëpunim ndërinstitucional në lidhje me mbrojtjen dhe kujdesin që duhet treguar për të ruajtur dhe përdoruar në mënyrë të qëndrueshme burimet ujore të Qarkut tonë duke u fokusuar në zbatimin e detyrave me standarte sa më të larta, si dhe gadishmërinë që duhet të tregoj secili institucion pjesë përbërëse e këtij këshilli për një menaxhim sipas kërkesave standarteve ndërkombëtare dhe ligjeve në fuqi.