Analiza Vjetore 2018 e luftës kundër Kanabisit

Sot më datë 11.02.2018, në sallën e mbledhjeve të institucionit të Prefektit të Qarkut Durrës, u zhvillua Analiza vjetore 2018 për luftën kundër Kanabisit. Në mbledhje mori pjesë Zv/Ministrja e Brendshme Znj. Rovena Voda si dhe të gjithë drejtorët rajonalë dhe përfaqësuesit e bashkive, anëtarë të Task-Forcës Vendore kundër Kanabisit.

Në brifingun e përgatitur nga Prefekti i Durrësit u pasqyrua puna e bërë gjatë vitit 2018, duke e krahasuar me atë të vitit 2017, si në zbatimin e planit të veprimit kundër kultivimit dhe  trafikimit të kanabisit për vitin 2018, në realizimin e objektivave, në sensibilizimin, parandalimin, gjetjet dhe goditjet.

Duke krahasuar me vitin 2017, për vitin 2018 në drejtim të gjetjeve dhe goditjes ulja është e konsiderueshme.

Rastet e kultivimit janë gjetur dhe goditur kryesisht në bashkinë Krujë dhe konkretisht në Nj.Adm Cudhi dhe Nikël.

Në Analizën Vjetore nga Prefekti u theksua që Task-Forca Vendore të kryejë më mirë detyrat në terren, të bashkëpunojë më mirë me Policinë Vendore, me strukturat vendore në terren, mbledhjen dhe përcjelljen e informacioneve si dhe ndjekjen e tyre në funksion të goditjes së veprimtarive të paligjshme në fushën e kanabisit.

Zv/Ministrja Znj. Rovena Voda në fjalën e saj vuri theksin në përcaktimin e detyrave  të çdo institucioni të Task-Forcës Vendor, shkëmbimin e informacionit  midis tyre dhe Njësive të Vetëqeverisjes Vendore. Informacioni të jetë në kohë, lidhur me verifikimet e kryera, gjetjet nga verifikimet etj. Të këmbëngulim të gjithë së bashku për sensibilizimin e popullatës. Të rritet niveli i bashkëpunimit me Drejtorinë Vendore të Policisë dhe toleranca në luftën kundër kanabisit për këtë vit të jetë 0.

Në mbyllje, Znj. Voda falenderoi të pranishmit duke i uruar për punën e mirë e të palodhur të bërë gjatë vitit 2018 në drejtim të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, në veçanti punën e bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë së Qarkut Durrës.

Në përfundim të Analizës u caktuan detyra konkrete për vitin 2019 në zbatim të Planit të Veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit 2017-2020.