Analiza e Sezonit Turistik 2018

Nën drejtimin e Prefektit të qarkut Durrës z.Roland Nasto u realizua takimi, në kuadër të Analizimit të situatës së përfundimit  të sezonit turistik 2018. Në këtë takim ishin të pranishëm Ministri i Turizmit dhe Mjedisit z.Blendi Klosi, Zv.Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z.Dhimiter Kote, Zv.Ministria e Drejtësisë zj.Teuta Vodo  si përfaqësues të Qeverisë për menaxhimin e sezonit turistik për qarkun Durrës, Kryetarë të Bashkive Durrës, Shijak Krujë si dhe Drejtues të Degëve Territoriale që veprojnë në qark. Institucioni i Prefekti ka ndjekur, monitoruar dhe koordinuar punën gjatë kësaj periudhe të sezonit turistik veror, kjo në bashkëpunim të ngushtë me:

Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit,

Tre Ministrat përfaqësues të Taskë Forcës Qëndrore në qarkun tonë për turizmin (Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministri i Drejtësisë, Ministri i Shtetit për Diasporën)

Komitetin Rajonal të Zhvillimit të Turizmit,

Bashkitë Durrës, Shijak, Krujë,

Degët Territoriale, 

Task Forcën Vendore për sigurinë në zonat bregdetare .

Me të gjithë aktorët përgjegjës publik dhe privat për menaxhimin e sezonit turistik veror.

Në fjalën e tij Prefekti u shpreh se të gjithë së bashku jemi përpjekur të ndjekim hap pas hapi çdo problematikë të hasur në drejtim të shërbimeve në sektorin e turizmit për ofrimin e garancive dhe kushteve sa më të mira pushuesve, në këtë sezon turistik. Në të gjitha takimet e zhvilluara në fazën parapregatitore kemi synuar të diskutojmë dhe japim zgjidhje konkrete problemeve të konstatuara si dhe marrjen e masave të nevojshme në mënyrë që të ndikonin pozitivisht në  sezonin turistik veror. Me të gjithë këto struktura kemi qënë në kontakte të vazhdueshme për çdo problematikë dhe situatë që mund të krijohej në mënyrë që t’u jepnim zgjidhjen në kohë. Një element mjaft i rëndësishëm për sezonin turistik ka qënë edhe ngritja e Task Forcës Vendore nga Institucioni i Prefektit “Për monitorimin dhe kontrollin e masave për zbatimin e detyrimeve ligjore për sigurinë në plazhe gjatë sezonit turistik veror 2018”, kjo në zbatim të Urdhërit të Kryeministrit nr.39 datë 28.02.2018 “Për miratimin e planit të masave përgatitore për sezonin turistik veror 2018 dhe ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës”. Më pas në fjalën e tij Ministri i Turizmit dhe Mjedisit z.Blendi Klosi vlerësoj ndjekjen me rigorozitet dhe shumë profesionalizëm nga Instititucioni i Prefektit  menaxhimin 24 orë në 24 gjithë këtë task forcë përgjatë të gjithë sezonit turistitk  pa harruar  tre bashkitë, drejtuesit e institucioneve qëndrore dhe vendore por në të njëjtën kohë dhe përpjekjet titanike të komunitetit të biznesit. Evidentimi i të gjithë problematikave pa harruar asnjë, tregon që kemi shumë hapsira për menaxhim, organizim dhe për ti dhënë njerëzve bindjen që turizmi është një mundësi reale për në jetë më të mirë. Në qarkun e Durrësit ekzistojnë të gjithë komponentët e asaj çfarë ne duam të bëjmë për turizmin në Shqipëri, duke filluar që nga porti detar, plazhet e mrekullueshme, kapacitetet akomoduese, mundësite fantastike që ka turizmi kulturor në këtë qark kompozojnë së bashku një peisazh ideal perfekt në të gjitha dimensionet dhe e bëjnë turizmin shumë më tepër të popullarizuar. Qarku i Durrësit është shëmbuli i hapur se si turizmi nuk mund të jetë vetëm në  një sezon, agriurizmi dhe turizmi kulturor vazhdon përgjatë gjith vitit. Kruja ka një trashëgimi të pasur kulturore dhe historike si rezultat Kruja  ka levizje dhe vizitohet gjatë gjithë vitit nga vizitorë dhe turistë të ndryshëm të huaj dhe vendas. Minstri nënvizoj se takimet pranë Prefektit duhet të jenë permanente ku të diskutohen të gjitha probleatikat e hapjes dhe shtrirjes së aktivitetit turistik. Duke filluar që tani duhet të fillojmë të mendojmë dhe për vitin e ardhshëm, çfarë do të realizojmë.

Si objektiva të politikave në fushën e turizmit u veçuan:

Siguria: plazhet duhet të jenë të sigurt në raport me rendin publik, menaxhimin e zhurmave dhe sigurinë e mjeteve lundruese. Të shtohen kontrollet e higjenës në drejtim të mjedisit dhe ushqimit, duhet të krijojmë flotën e rojeve të plazhit të cilët duhet të rekrutohen nga bizneset. Në drejtim të shërbimeve dhe infrastrukturës së nevojshme, që synon të plotësojë kërkesat e qytetarëve dhe turistëve të huaj  në lidhje me  komodimin, argëtimin ushqimin. Rritja zhvillimi dhe difersifikimi i ofertës turistike dhe shërbimeve të ndryshme turistike duhet bazuar në traditat e ushqimit dhe rritjen e ofertës për furnizim me ushqim duke përfshirë kryesisht prodhimet tradicionale ushqimore nga zonat. Ngritja e vazhdueshme e nivelit të profesionalizmit të burimeve njerëzore në sektorin e turizmit. Duhet të sigurojmë cilësinë e shërbimit. Një koordinim midis institucioneve për plotësimin e kritereve e për të rritur cilësinë e shërbimit në plazhe. Rritja e punësimit në sektorin e turizmit duke synuar angazhimin e punonjësve të kualifikuar.

Këtë vit turizmi ka shënuar rritje. Viti 2018 shënoj mbi 6 milionë vizitorë të jashtëm në Shqipëri, shifra këto rekorde që kontribuan ndjeshëm në rritjen vjetore ekonomike  të vendit. Turizmi kështu rikonfirmohet si nxitësi kryesor i rritjes së ekonomisë së vendit. Turizmi është tashmë një sektor me ndikim të madh social dhe ekonomik duke ndryshuar pozitivisht strukturën ekonomike, duke krijuar vende të reja pune me një treg pune tërheqës, të qëndrueshëm dhe konkurrues dhe të ardhura të konsiderueshme, si dhe duke kontribuar në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.

Në përfundim  u lanë  detyra për sezonin e ardhshëm turistik 2019 .