Prefekti i Qarkut Durrës Z.Emiljan Jani në cilësinë e Kryetarit të Task Forcës Rajonale për Sigurinë në Shkolla, nisur nga ngjarja e rëndë tronditëse e ndodhur javën e kaluar nga e cila humbi jetën Martin Cani, zhvilloj sot një takim mbi sigurinë në shkolla.
Në këtë kontekst mbledhja e sotme përfshiu Drejtues të Institucioneve që përbëjnë këtë Task-Forcë Rajonale ku të pranishëm ishin: Zv/Drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës Z.Bedri Hasanaj, Shefat e Komisariateve të Policisë Durrës, Shijak, Krujë dhe Kavajë, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Z.Hazbi Lika, Drejtueset e Zyrave Vendore të Arsimit Parauniversitar Durrës, Krujë dhe Shijak, si dhe Oficer të Sigurisë pranë ZVAP Durrës.
Prefekti si kryesues i Paketës së Sigurisë në Shkolla, kërkoj nga të pranishmit një analizë te detajuar të situatës reale të sigurisë në shkolla, identifikimin e masave plotësuese të menjëhershme në drejtim të sigurisë,rritjen e ndërgjegjësimit për edukimin qytetar për të garantuar që çdo shkollë të jetë një vend, ku të mbizotërojë jo vetëm arsimi cilësor, por edhe siguria e të gjithë komunitetit shkollor.
Në këtë këndvështrim gjatë takimit u kërkua që kjo ngjarje të shërbejë si një kambanë e fortë për të gjithë strukturat për marrjen e masave urgjente për fuqizimin e mekanizmave të parandalimit të dhunës, rishikimin e protokolleve të ndërhyrjes së shpejtë të oficerëve të sigurisë, punonjësve social dhe psikologëve në shkolla, zgjerimin e platformave të sinjalizimit të hershëm, të çdo forme të dhunës, si dhe forcimin e shërbimeve sociale në strukturat arsimore dhe komunitet.
Nga diskutimet u theksua rëndësia e Oficerëve të Sigurisë si një hallkë e pazëvendësueshme dhe vlerë e shtuar në sigurinë e nxënësve. Mbetet gjithmonë thelbësor roli sa më aktiv i të gjitha palëve, prindër, mësues, punonjës të policisë së shtetit, institucione arsimore por edhe komuniteti, për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Siguria e fëmijëve është prioritet absolut dhe fuqizimi i mekanizmave të parandalimit ndaj çdo forme dhune brenda apo jashtë shkolle, mbetet angazhimi i përbashkët.