Prefekti i Qarkut Durrës Z.Emiljan Jani dhe Koordinatori i Përgjithshëm i Prefekturës së Qarkut Durrës Z.Edison Jonuzi organizuan sot një mbledhje me të gjithë aktorët përgjegjës për infrastrukturën rrugore, sigurinë, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e trafikut rrugor në Qarkun Durrës.
Në këtë takim ishin të pranishëm: Drejtori i Drejtorisë së Rajonit Qendër Perëndim Z. Erion Koka, Policia Bashkiake Durrës Z.Realdo Vrioni, Drejtori i Drejtorisë së Rrugëve Rurale Krujë z.Artan Gjergji; Zv/Kryetar i Bashkisë Shijak Z.Nazmi Kondo, Drejtoresha e Urbanistikës Bashkia Shijak Znj.Jonida Goga, Përfaqësues nga Policia Bashkiake Shijak dhe Krujë, nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës/Seksioni i Policisë Rrugore, Ndërmarrja Rruga Z.Aldo Kaçorri dhe nga firmat kontraktuese të mirëmbajtes së rrugëve të Qarkut.
Gjatë kësaj mbledhje u diskutuan problematikat kryesore të rrugëve të qarkut Durrës, mirëmbajtja dhe siguria në akset rrugore, përmirësimi i sinjalistikës dhe masat që do të merren në vazhdimësi në kuadër të parapregatitjes për sezonin dimëror.
Gjithashtu u diskutuan investimet dhe ndërhyrjet e ndryshme që janë bërë gjatë kësaj periudhe apo që parashikohen të bëhen në vijim, në përmirësimin e situatës së rrugëve nacionale dhe rurale si dhe u parashtruan detyrat për të ardhmen në drejtim të rritjes së efiktivitetit dhe përmirësimit parametrave të sigurisë.
Në përfundim Prefekti kërkoi angazhimin dhe koordinimin e punës me qëllim përmirësimin dhe zgjidhjen e problematikave në kohë, në drejtim të krijimit të gjithë infrastrukturës apo shërbimeve të nevojshme.