Kontroll në gjirin e Durrësit nga Ura e Dajlanit deri tek Përroi i Agait me qëllim zbrazjen dhe lirimin e plazheve publike të zaptuara në mënyrë abuzive.

Në zbatim të detyrimeve ligjore, Task-Forca Ndërinstitucionale për Sezonin Turistik Veror 2024, me Urdhër të Prefektit të Qarkut Durrës, dje më datë 10 qershor 2024 ushtroi kontroll në gjirin e Durrësit nga Ura e Dajlanit deri tek Përroi i Agait.

Ky kontroll kishte si qëllim zbrazjen dhe lirimin e plazheve publike të zaptuara në mënyrë abuzive nga sipërmarrjet private dhe qytetarë të ndryshëm si dhe verifikimin e masave të sigurisë dhe elementë të tjerë të rëndësishëm për një sezon të mbarë dhe të sigurtë, duke bërë të mundur respektimin e të gjithë standarteve dhe rregullave të përcaktuara në ligj.

Pjesë e grupit të Task-Forcës ishin: Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Policia Bashkiake dhe Policia e Rendit të cilët liruan të gjitha hapësirat e zëna të plazheve publike si nga sipërmarrjet private, ashtu edhe nga qytetarët të cilët me vendosjen e çadrave dhe kyçjen e tyre në këto hapësira që i përkasin të gjithëve, shndërtohen në një problem madhor për të tjerë qytetar të cilët kërkojnë të pushojnë në plazhet publike.

Në përfundim të aksionit iu la detyrë subjekteve dhe qytetarëve abuzues të mos i cënojnë më hapsirat publike, pasi në të kundërt do të përballen me të gjithë fuqinë e ligjit. Zbatimi i masave të sigurisë dhe respektimi i hapësirave për plazhe publike siguron që turistë të huaj dhe vendas të shijojnë qetësisht ditët e tyre të pushimit në bregdetin tonë.