Mbledhja e parë e Task-Forcës për Sezonin Turistik Veror 2024

Prefekti i Qarkut Durrës Z.Emiljan Jani në zbatim të Urdhërit të Kryeministrit Nr 69, datë 30.04.2024 për ngritjen e Task-Forcës Ndërinstitucionale për Sezonin Turistik Veror 2024, organizoi sot mbledhjen e parë të Task-Forcës për Sezonin Turistik Veror 2024, ku ishin të pranishëm: Zv/Kryetari i Bashkisë Durrës Z.Renis Mullaj, Drejtori i Policisë Bashkiake Z.Vasip Çopa, Shef/Sek nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës z.Karafil Xholi, Shef/Sektori nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Z.Petrit Pjetri, Drejtoresha e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Znj.Aurora Hyka,Drejtori i Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor Z.Indrit Cerloj, Drejtori i MZSH Z.Shkëlqim Troplini, Shefe/Sektori nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit Znj.Anila Kapidani, Drejtori i Agjensisë Kombëtare të Bregdetit Z.Shpetim Çiku.

Në fokus të këtij takimi ishte njohja me situatën aktuale, masat e marra deri më tani në drejtim të sezonit të turistik, shërbimet e kryera, apo që do të kryhen në vazhdimësi, problematikat e hasura, si dhe planet konkrete të veprimit të hartuara nga të gjithë institucionet për menaxhimin e sezonit turistik veror 2024.

Duke marrë shkas nga problematikat e dala gjatë sezonit veror të kaluar, nga Prefekti i Qarkut u kërkua koordinim ndërinstitucional i punës në lidhje me plotësimin e detyrimeve të parashikuara në ligj mbi masat paraprake që duhet të merren nga Bashkitë dhe Degët Tërritoriale, për të patur një sezon turistik të mirë organizuar.

Këto masa duhet të jenë sa më rigoroze dhe të marra në kohë me qëllim që fillimi i sezonit turistik 2024 të na gjej pa problematika në këtë drejtim. Prefekti nënvizoj dhe një herë detyrimet ligjore që kanë të gjithë aktorët për zbatimin e akteve ligjore në fuqi, detyrat dhe kompetencat që ka secili sektor për të monitoruar, kontrolluar dhe vënien përpara përgjegjesise ligjore të gjitha subjektet që proçedojnë në informalitet dhe në kundershtim me ligjin.

Nga diskutimet e të pranishmëve në këtë takim u ngritën problematika të ndryshme në drejtim të aspektit teknik të punës për të cilat do të punohet për ti dhënë zgjidhje në kohë për të bërë të mundur krijimin e të gjithë infrastrukturës apo shërbimeve të nevojshme për sezonin turistik veror 2024.

Në përfundim të takimit Prefekti u la detyrë të pranishmëve, përcaktimin e qartë të objektivave të punës, në mënyrë që të krijojmë jo vetëm klimën e duhur për një turizëm bashkëkohor dhe të standartizuar, por në të njëtën kohë të krijojmë mundësinë që sektori i turizmit të shërbejë si një nxitës i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik për qarkun tonë dhe më gjerë.