Nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Durrës Z.Emiljan Jani u zhvillua sot një takim bazuar në Urdhërin e Kryeministrit Nr.35, datë 19.02.2024 “Për përbërjen, mënyrën e organizimit dhe funksionimin të Task – Forcës për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit apo futjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të qeseve plastike mbajtëse, si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme dhe oxo-biodegradueshme”.
Në këtë takim ishin të pranishëm: Drejtori i Policisë Bashkiake Durrës Z.Vasip Çopa, Drejtori Teknik i Inspektoriatit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut Z.Erion Prifti , Drejtori i Mbikqyrjes së Produkteve nga Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut Z Gjergj Muzhaqi, Insperktor nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit Z.Sed Hasa dhe Znj. Oltjana Telhaj, Drejtori i Policisë Bashkiake Krujë Z.Petrit Çangu, Krye/ Insperktor i Policisë Bashkiake Shijak Z.Nazir Keçi.
Gjatë takimit të sotëm, palët diskutuan mbi rikoordinimin e punës sensibilizuese dhe zbatimit të përgjegjësive të secilit institucion, për vijimin e kontrolleve në terren për ndalimin e përdorimit dhe tregtimit të qeseve plastike njëpërdorimshme nën 70 mikron, si dhe të marrjes së masave të parashikuara ligjore në rastet kur konstatohet mos zbatimit i ligjit.
Prefekti nisur nga Urdhëri i Kryeministrit i cili parashikon disa përgjegjësi dhe detyrime për një sërë institucionesh, si Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut, apo edhe Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore përmes Policisë Bashkiake, kërkoi angazhim maksimal gjatë periudhës në vijim në përcaktimin e planeve të punës dhe kontrolleve në terren, në mënyrë që të përmbushin detyrimet e tyre ligjore për ndalimin e përdorimit, tregtimit dhe hyrjes në vendin tonë të qeseve plastike.
Prefekti ndër të tjera kërkoi nga të pranishmit një qasje të re, vëmendje të shtuar në këtë drejtim, bashkëpunim dhe informim mbi masat e mara, koordinim ndërinstitucional ku fokusi të jetë zbatimi i iniciativave të qeverisë shqiptare, që kanë në thelb mirëqënien e përbashkët për përdorimin racional të mjedisit, reduktimin e nivelit të mbetjeve si dhe parandalimin e dëmtimit të tij.
Duhet të vendosim një standard të ri që duhet ta respektojmë të gjithë, duke e konsideruar mbajtjen pastër të territorit dhe garantimin e produkteve me siguri për konsumatorin, si një standard të panegociueshëm.