Takimi i Task-Forcës Vendore Anti-Kanabis

Sot, më datë 28.02.2024 në drejtimin e Prefektit të Qarkut Durrës Z.Emiljan Jani u zhvillua takimi i Task-Forcës Vendore Anti-Kanabis, në kuadër të intensifikimit të masave dhe zbatimit të detyrimeve të përcaktuara në Strategjinë Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2021-2025, Plan – Veprimit Vendor për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Në këtë takim ishin të pranishëm: Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Drejtues i Parë Z.Skënder Hita, Drejtori i Përgjithshëm i Kufirit dhe Migracionit Drejtues i Lartë Z.Sajmir Boshnjaku, Zv/ Kryetari i Bashkisë Durrës Z. Gentjan Kallmi, Drejtori i Policisë Bashkiake Durrës Z. Vasip Çopa, Drejtori i AKU Z.Elton Varaku, Shefi i Policisë Ushtarake Z.Ilir Doçi, Drejtori i Drejtorisë së Doganës Durrës Z.Denis Shabani, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror Durrës Z.Ismail Salliu, Prokurorët e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Krujë, Shefat e Komisariateve Durrës, Shijak dhe të gjithë anëtarët e Task-Forcës Vendore të cilët kanë përgjegjësi në monitorimin dhe kontrollin e territorit të Qarkut Durrës.

Takimi u drejtua nga Prefekti i Qarkut Durrës Z.Emiljan Jani dhe kishte si qëllim intensifikimin e masave, bashkërendimin e veprimtarisë së Institucioneve Shtetërore ligjzbatuese, Degëve Territoriale dhe Njësive të vetqeverisjes vendore në kuadër të luftës kundër kultivimit e trafikimit të bimëve Canabis – Sativa.

Prefekti i Qarkut bëri një përshkrim të punës që është bërë deri tani në drejtim të parandalimit, ndërgjegjësimit dhe kontrollit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit, ku u kërkoi të gjithë anëtarëve të Task Forcës një ritëm të lartë pune, një intensitet të lartë kontrollesh në terren duke shfrytëzuar të gjithë sistemet e informacionit të cilat do bëjnë të mundur një kontroll të plotë e një monitorim rigoroz të territorit.

Në përfundim Prefekti kërkoi nga të gjithë institucionet përmbushjen e detyrimit ligjor në drejtim të shkëmbimit të informacioneve dhe kontrollit të territorit duke ushtruar kompetencat ligjore, lëndore dhe territoriale në ushtrimin e detyrave të përcaktuara më lart dhe sipas specifikimeve për përmbushjen me sukses të këtij prioriteti kombëtar kaq të rëndësishëm.