Sot, më datë 24.01.2024, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Durrës Z.Emiljan Jani u zhvillua Analiza e Punës së Institucionit të Prefektit të Qarkut Durrës për vitin 2023.
Në këtë analizë morën pjesë: Përgjegjësia e Sektorit të Koordinimit me Prefekturat dhe Emergjencat në Ministrinë e Brendshme Znj.Lindita Mukaj, Specialist i Sektorit të Koordinimit me Prefekturat dhe Emergjencat në Ministrinë e Brendshme Z.Gazmend Vogli, Nën Prefekti Krujë Z.Xhek Xheka.
Përmes prezantimit të materialit të analizës vjetore u pasqyrua në mënyrë të hollësishme bazuar në tregues konkretë puna dhe rezultatet e çdo veprimtarie të kryer për implementimin e politikave dhe përmbushjen e prioriteteve të Qeverisë në Qarkun Durrës për vitin 2023.
Puna e përditshme një vjeçare, ka konsistuar në ndërtimin e një marrëdhënie bashkëpunimi reciprok si me Institucionet Qëndrore në Nivel Vendor ashtu edhe me Organet e Vetëqeverisjes Vendore, duke bashkërenduar gjithashtu veprimtaritë e tyre, me qëllim realizimin e objektivave në përputhje me politikat sektoriale të Këshillit të Ministrave në Qark.
Në përmbushje të misionit dhe ushtrimit të përgjegjësive gjatë vitit 2023, Institucioni i Prefektit të Qarkut Durrës ka intensifikuar punën në drejtimin e strukturave për menaxhimin e: emergjencave civile, sezonit turistik, mbrojtjen e mjedisit i cili vijon të mbetet prioritet kombëtar, rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj publikut, kontrollin ligjor të territorit mbi zbatueshmërinë e ligjit, parandalimin e fenomeneve negative, ruajtjen e pasurisë publike e private, rritjen e sigurisë ushqimore, rritjen e nivelit të sigurisë në shkolla, ofrimin e shërbimeve arsimore dhe shëndetësore cilësore si dhe monitorimin e çdo lloj veprimtarie dhe angazhimi tjetër për të cilat Institucioni i Prefektit është ngarkuar me ligj për të ndjekur.
Gjithashtu, gjatë vitit 2023 Institucioni i Prefektit ka qenë maksimalisht i angazhuar, krahas realizimit të detyrave sipas misionit dhe fushave të përgjegjësive të secilit sektor, rëndësi e veçantë i është dhënë funksionimit pranë tij, të strukturave dhe mekanizmave Task-Forcë, me përbërje ndërinstitucionale me qëllim koordinimin e veprimeve, menaxhimin e problemeve dhe situatave të veçanta duke luajtur një rol kryesor në arritjen e zgjidhjeve konstruktive, të përbashkëta dhe gjithëpërfshirëse që do t’i shërbejnë zhvillimit ekonomik e social, të qarkut Durrës.
Gjatë analizës Prefekti në mënyrë të veçantë nënvizoj sfidat e shumta me të cilat jemi përballur këtë vit si tregues domethënës për punën tonë, si dhe përpjekjet e administratës për tu dhënë zgjidhje me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal çdo problematike dhe vështirësie. Ulja e numrit të zjarreve në 332 raste më pak se viti paraardhës do të thotë efikasitet më i lartë nga Shërbimi Zjarrfikës dhe punë më e mirë nga Emergjencat Civile në tërësi.
Qarku i Durrësit është dhe mbetet porta kryesore hyrëse për 440388 turistë të cilët shënuan një rekord të ri për turizmin, përtej çdo pritshmërie. Koordinimi ndërinstitucional për mbarëvajtjen e sezonit turistik, në drejtim të sigurisë së jetës, pastërtisë në plazhe, kushteve higjeno-sanitare, menaxhimit të mbetjeve, sigurisë ushqimore ishte një sprovë e kaluar me sukses.
Duke bashkërenduar punën me instititucionet qëndrore dhe vendore veçanërisht me Policinë e Shtetit dhe atë Bashkiake kemi sot një nivel më të lartë sigurie në shkolla.
Transferimi online i shërbimit të Arkivës së Gjëndjes Civile që më parë ofrohej në sportel është gjithashtu një histori suksesi.
Kjo analizë, nxorri në pah veprimtarinë e Institucionit të Prefektit për vitin 2023, ushtrimin e përgjegjësive të tij, mënyrën e ndërtimit të marrëdhënieve me institucionet qëndrore e vendore gjithashtu u vendosën dhe prioritet e punës për vitin 2024.
Në përfundim përfaqësuesit e Ministrisë së Brëndshme vlerësuan pozitivisht punën dhe arritjet e institucionit të Prefektit të Qarkut Durrës, shprehën gjithashtu gatishmërinë e tyre në drejtim të ofrimit të mbështetjes për të zhvilluar dhe promovuar vizione dhe standarte të reja në funksion të përmirësimit të punës së përbashkët.