Sot më datë 04.10.2023 Prefekti i Qarkut Z.Emiljan Jani pati një takim me përfaqësuesin e Seksionit të Qarkullimit Rrugor dhe Shefin e Policisë Bashkiake lidhur me problematika të sigurisë rrugore në drejtim të qarkullimit të mjeteve, parkimit të tyre si dhe mbi masat e marra nga ana e policisë për ndalimin e përdorimit dhe tregëtimit të qeseve plastike jo konform ligjit.
Në këtë takim u diskutua kryesisht mbi gjendjen e sinjalistikës rrugore, vёshtirёsitё nё menaxhimin e qarkullimit rrugor si dhe masat që duhet të ndërmeren për tё normalizuar fluksin e qarkullimit tё mjeteve si dhe pёr parandalimin e aksidenteve tё ndryshme qё mund tё ndodhin kryesisht në hyrjet daljet e qytetit.
Gjithashtu u diskutuan problematikat në lidhje me hapësirat publike, konkretisht zënia e hapësirave publike për parkingje të paligjshme, nga qytetarë që parkojnë makina për shitje, subjektet e makinave që jepen me qera, apo dhe nga persona të tjerë të paautorizuar të zënies së hapsirave publike me objekte të ndryshme etj, duke shkaktuar problematika të shumta për komunitetin.
Nga Prefekti i Qarkut u kërkua një angazhim dhe koordinim i punës ndërmjet këtyre dy strukturave për një menaxhim më të mirë të situatës për këto problematika për të bërë të mundur lehtësimin e qarkullimit të mjeteve në mënyrë të veçantë në zonat urbane.
Ndër të tjera u kërkua angazhimi i policisë rrugore si dhe asaj bashkiake për marrjen e masave të mëtejshme për zbatimin e kuadrit ligjor të veprimtarive tregtare të qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme dhe oxo-biodegradueshme, kryesisht në tregjet Agro-Ushqimore dhe subjektet private e ambulante të kontraktuar nga Bashkitë.
Në mbyllje të takimit, Prefekti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe kërkoi që të merren të gjitha masat e nevojshme për zgjidhjen e problematikave të diskutuara.