Në zbatim të detyrave që Ministri i Brendshëm Z.Taulant Balla parashtroi në takimin e datës 21 korrik, si dhe nga takimi i ditës së djeshme me Ministrin e Mbrojtjes Z. Niko Peleshi dhe Drejtorin e Përgjithshëm të AKMC-së Z. Haki Çako, për administrimin e emergjencave verore (zjarret si rezultat i temperaturave të larta që janë prezent në territorin tonë), Prefekti i Qarkut Durrës Z.Emiljan Jani thirri jashtë rradhe mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile në nivel qarku në një takim të zgjeruar në shkallë qarku.
Në takim morën pjesë të gjitha strukturat drejtuese të bashkive, strukturat reaguese dhe ato operacionale të MZSH-së, përfaqësues të sektorëve të Emergjencave Civile dhe të Shërbimit Pyjor, nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, si dhe nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Durrës.
Nga raportimet dhe diskutimet u konstatua se janë marrë masa për planifikimin dhe paralajmerimin e hershëm, shkëmbimin e informacionit në kohë reale dhe organizimin e strukturave për reagim të menjëhershëm në rastet e rënies së zjarreve (veçanërisht në pyje dhe kullota).
Vëmendje e veçantë ju kushtua trajtimit dhe bashkëpunimit me strukturat e policisë për identifikimin, evidentimin e zjarrvënieve të qëllimshme dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të zjarrvënësve. U trajtuan gjithashtu edhe problemet e bashkëpunimit e të angazhimit jo vetëm të strukturave që legjislacioni në fuqi i detyron në fushën e mbrojtjes civile, por edhe të komunitetit duke shfrytëzuar maksimalisht burimet njerëzore dhe logjistike lokale.
Prefekti kërkoi mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile në nivel bashkie për të përcjellë tek të gjitha strukturat e bashkive rekomandimet e dala nga mbledhja.
Vigjilenca e të gjithëve është garancia që gjatë këtij sezoni veror të kemi rezultate më të mira krahasuar me vitin e kaluar.