Sot më datë 30.06.2023 Prefekti i Qarkut Durrës Z.Emiljan Jani në cilësinë e Kryetarit të Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore, zhvilloj mbledhjen e këtij Komitetit ku ishin të pranishëm përfaqësues të ADZM, Nën\Prefekti i Qarkut Krujë Z.Rexhep Xheka, dhe përfaqësues të institucioneve fushat e përgjegjësive të të cilëve lidhen me menaxhimin e zonave të mbrojtura të Qarkut Durrës.
Qëllimi i mbledhjes ishte prezantimi dhe diskutimi rreth raportit të punës së Administratës së Zonave të Mbrojtura të Qarkut Durrës për periudhën janar-qershor 2023, ku bë një panoramë e situatës aktuale dhe problematikave kryesore të tre Zonave të Mbrojtura: Krastë-Verjon, Qafë Shtamë dhe Rrushkull.
Prefekti,theksoi rëndësinë e madhe që mbart hartimi dhe zbatimi i strategjive të qëndrueshme për manaxhimin cilësor të zonave të mbrojtura mjedisore si një pasuri e përbashkët natyrore dhe njerëzore, promovimi i vazhdueshëm i tyre, përmirësimi i infrastrukturës dhe kushteve për vizitorët si dhe ndërgjegjësimi i komunitetit për mbrojtjen e këtyre vlerave.
Në fjalën e tij Prefekti, u përqendrua në rëndësinë e bashkëpunimit të Administratës së Zonave të Mbrojtura me institucionet dhe strukturat në nivel qarku për të adresuar parandalimin dhe përballimin e situatave të zjarreve, ndёrtimet pa leje, guroret dhe furrat e gëlqereve që operojnë në ZMM si dhe aksionet e pastrimit në këto zona.
Gjatë këtij takimi, përpos arritjeve dhe zhvillimeve të ndjekura nga ADZM, u evidentuan edhe disa problematika që kanë të bëjnë me nevojën për investime me qëllim shtimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe menaxhuese të tyre në drejtim të rritjes së bashkëpunimit ndërmjet aktorëve kryesorë vendorë për monitorimin e këtyre zonave.
Prefekti, gjithashtu u fokusua tek analiza krahësore e rasteve të zjarreve të vitit 2022, për të identifikuar trendet dhe përmirësuar masat për parandalimin dhe menaxhimin e tyre në të ardhmen, duke vënë theksin kryesor tek komunikimi dhe shkëmbimi i informacionit si elementi kryesor në menaxhimin e situatave emergjente që mund të krijohen si rezultat i rritjes së temperaturave gjatë sezonit veror 2023.
Në përfundim, Prefekti kërkoi përgjegjshmëri, angazhim dhe bashkëpunim maksimal të të gjitha strukturave përgjegjëse me qëllim mbrojtjen dhe rritjen e vlerave të këtyre zonave të mbrojtura.