Prefekti i Qarkut Durrës priti në një takim një përfaqësi të Shoqatës “Ishmi”

February 11, 2020

Prefekti i Qarkut Durrës priti në një takim një përfaqësi të Shoqatës “Ishmi”

Ky takim u zhvillua në kuadrin e ngritjes së disa problematikave në lidhje me banorët e prekur si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, menaxhimit të mbetjeve urbane në këtë zonë si dhe komunikimin e qëllimeve të qarta lidhur me krijimin e partneriteteve me stukturat vendore dhe qëndrore me fokus zhvillimin dhe rindërtimin e kësaj zone.

Kjo shoqatë po bën përpjekje serioze të shndërrohet në një faktor për arritjen e ndryshimeve të qëndrueshme dhe pozitive në Njësinë Administrative Ishëm, duke vënë theksin në çështjet e promovimit të vlerave historike, trashëgimisë kulturore vendase, zhvillimit të turizmit dhe mbrojtjes së mjedisit.

Pasi u njoh me aktivitetin dhe problematikat e kësaj shoqate, Prefekti vlerësoi lart kontributin e saj për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave qytetare e patriotike, trashëgimisë së pasur historike, arkeologjike dhe kulturore të kësaj treve nga ku kanë dalë personalitete të shquara në të gjitha fushat. Por veçanërisht për potencialet natyrore që e dallon nga trevat e tjera duke e kthyer në një atraksion të rëndësishëm turistik.

Duke vlerësuar punën tuaj të shkëlqyer me pasion e përkushtrim ju inkurajoj të vijoni më tej, – u shpreh Prefekti duke i bërë me dije të pranishmeve prioritetet e Qeverisë përsa përket zhvillimit të arsimit dhe shëndetësisë në këtë zonë. Konfirmoj dhe një herë që do të jem në dispozicionin tuaj për të ndjekur në vijimësi çdo problematikë që mund të hasni gjatë punës tuaj.

Përfaqësuesit e shoqatës “Ishmi” e falënderuan Prefektin për vëmendjen e treguar si dhe shprehën dëshirën për bashkëpunim të ngushtë për qëllime të përbashkëta.