Mbledhja e parë e Task Forcës Vendore për sigurinë në zonat bregdetare gjatë sezonit turistik veror 2019.

June 13, 2019

Prefekti i Qarkut Durrës Z.Roland Nasto në zbatim të Urdhërit të Kryeministrit Nr. 65 Dt 01.04.2019 për “Miratimin e planit të masave për sezonin turistik veror 2019 dhe ngritjes së grupit të Task–Forcës” ka zhvilluar mbledhjen e parë të Task Forcës Vendore për sigurinë në zonat bregdetare gjatë sezonit turistik veror 2019.

Kjo Task Forcë Vendore ka në përbërje të saj përfaqësues të Degëve Territoriale dhe Struktura të Bashkisë Durrës të cilët kanë detyrime ligjore të drejtpërdrejta në drejtim të ofrimit të shërbimeve publike për mbarvajtjen e sezonit turistik.

Task Forca do të kryej Inspektim në zonat bregdetare në bizneset, plazhet private e subjektet që operojnë në zbatim të VKM-së nr. 171, datë 27.03.2019 për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, VKM-së 321 për ushtrimin e veprimtarive të sporteve ujore, VKM-së nr.587, datë 07.07.2010 “Për monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane e turistike”, sigurinë ushqimore higjenën dhe kontrollin e të gjithë bizneseve që operojnë në zonat bregdetare. Kjo Task Forcë do të jetë përgjegjëse për ndjekjen dhe zbatimin e masave që do të garantojnë standarte siguri dhe rritje të cilësisë së shërbimeve.

Në takim Prefekti prezantoi Urdhërin Nr 37 datë 31.05.2019 te ngritur me urdhër të Prefektit në zbatim të Urdhërit të Kryeministrit Nr.65 date 1.4.2019 mbi mënyrën e funksionimit të kësaj Task Force në zbatim të akteve ligjore në fuqi ku parashikohen qartë detyrimet institucionale që do të ndiqen në vazhdimësi nga të gjithë institucionet e përfshira për menaxhimin sezonit turistik 2019.

Në fjalën e tij Prefekti vuri theksin në VKM Nr 321 datë 28.05.2014 të vitit 2014, “Për sigurinë në det, plazhe në ujrat e brëndshme në thellësi të teritorit’’ vendim ky i cili përcakton detyrimet ligjore për të gjithë njësitë e qeverisjes vendore dhe bashkitë të cilët duhet të caktojnë vendbazimet larg vendeve ku qëndrojnë pushuesit.

Nga të pranishmit u bë një panoramë e masave të marra në të njëjtën kohë u analizuan të gjitha problematikat e dala përgjatë sezonit të kaluar turistik 2018, si dhe u kerkua krijimi i urave të bashkëpunimit për gjetjen e zgjidhjeve të reja në funksion të garantimit të kushteve, sigurisë, qetësisë dhe standardeve të larta për çdo vizitor dhe turist!

Në përfundim Prefekti konfirmoi ndarjen e detyrave sipas planit të veprimit të hartuar për këtë qellim ku u përcaktuan grupet e punës të cilët në ditët e ardhshme do të vijojnë të kryejë kontrolle specifike në terren.