Observatori për të Drejtat e Fëmijëve, në bashkëpunim me Institucionin e Prefektit të Qarkut Durrës dhe në partneritet me UNICEF Shqipëri organizuan takimin mbi Zbatimin e mekanizmave për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor.

Observatori për të Drejtat e Fëmijëve, në bashkëpunim me Institucionin e Prefektit të Qarkut Durrës dhe në partneritet me UNICEF Shqipëri organizuan takimin mbi Zbatimin e mekanizmave për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor.

Në këtë takim morën pjesë, Nënkryetarë të Bashkive Durrës, Shijak, Administrator i Njësisë Administrative Sukth, përfaqësues nga  Drejtoria Arsimore Rajonale Durrës , Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Durrës , Komisariati i Policisë Durrës, Qëndra Shëndetësore nr 2,  DVP Durrës.

Takimi filloi me fjalën falënderuese të Znj. Elma Tërshana, drejtore ekzekutive e Observatorit për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve, e cila falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për interesin dhe përkushtimin e treguar në kauzën e përbashkët të arsimimit të fëmijëve. Znj. Tërshana u ndal në shpjegimin e mekanizmave për fëmijët jashtë shkolle dhe historikun e bashkëpunimit midis institucioneve lokale në Durrës që prej vitit 2014, në të cilin kjo nismë është zbatuar dhe vazhdon të zbatohet në Bashkinë Durrës. ZNj. Tërshana theksoi se nisma “Çdo fëmijë në Shkollë” po realizohet nën vëmendjen e MAS, në partneritet me UNICEF dhe po zbatohet nga Observatori. Kjo nismë ka filluar në vitin 2013 me synim identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të të gjithë fëmijëve në moshë të detyrimit shkollor si edhe parandalimin e braktisjes së shkollës nga ana e fëmijëve që janë në rrezik braktisjeje. Nisma synon ngritjen e mekanizmave të mjaftueshme që çdo fëmijë i moshës së detyrimit shkollor të ndjekë shkollën 9-vjeçare. Znj. Tërshana falënderoi Institucionin e Prefektit Durrës, që ka mbështetur dhe koordinuar hap pas hapi institucionet lokale për zbatimin e detyrave të parashikuara në Rregulloren 3 Ministrore “Për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor”. Znj. Tërshana theksoi rëndësinë e regjistrimit të çdo fëmijë në shkollë, duke theksuar problemet afatgjata që mund të lindin nga mos regjistrimi në shkollë i fëmijëve në kohën e duhur. Znj. Tërshana vuri edhe një herë në dukje rolin e secilit institucion në identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të çdo fëmijë në moshë shkolle, duke i dhënë një rëndësi të veçantë bashkëpunimit ndërinstitucional.

Takimi vijoi me fjalën përshëndetëse të Z. Roland Nasto, Prefekti i Durrësit. Z. Nasto u shpreh se gjatë kësaj periudhe 3 vjeçare të gjithë aktorët gjithëpërfshirës në këtë proces kanë patur fatin të asistohen në mënyrë të vazhdueshme nga Observatori, jo vetëm në ndjekjen dhe monitorimin e zbatimit të urdhër të përbashkët 3 Ministror, por edhe në ndjekjen hallkë pas hallke të ecurisë së tij, çka ka bërë që rezultatet në fund të jenë të kënaqshme me gjithë specifikat apo vështirësitë që mbart i gjithë procesi. Durrësi është një qytet me një dinamikë të tillë, ku zbatimi i urdhrit 3 Ministror për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor kërkon asistencë të vazhdueshme profesionale. Arsimi i detyrueshëm është një e drejtë Kushtetuese e çdo individi në Republikën e Shqipërisë. Në këtë kontekst bashkëpunimi dhe zbatimi i detyrave ligjore në kohë është përgjegjësi e të gjithë institucioneve të përfshira në zbatimin e urdhrit 3 Ministror. Është mjaft e rëndësishme që në këtë proces institucionet e përfshira në të, të përpiqen të zbatojnë detyrat e tyre në afatet kohore të përcaktuara pasi vetëm kështu mund të përmbushet me sukses misioni i kësaj marrëveshje: “Asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet jashtë sistemit të detyrueshëm arsimor”. Për të gjithë, braktisja e shkollës qoftë edhe të një fëmije është një sinjal që duhet të angazhoj të gjithë shoqërinë në mënyrë që të shmangim braktisjen shkollore. Z. Nasto u shpreh se kjo çështje do të jetë dhe në vëmendjen e punës së strukturave që operojnë në Institucionin e Prefektit siç është dhe Komiteti Rajonal Antitrafik dhe tryeza e tij Teknike, ku një vëmendje të madhe u jepet dhe mbrojtjes së fëmijëve nga shfrytëzimi, dhunimi apo trafikimi i tyre.

Në vijim Znj. Eridjona Vallja prezantoi nismën “Çdo fëmijë në shkollë” dhe ndërhyrjet që do të realizohen në këtë 2 vjeçar në 4 bashki pilot, si: Durrës, Korçë, Lezhë dhe Shkodër, procesin e realizuar që në fillim të nismës, duke shpjeguar rëndësinë e pilotimit të eksperiencës dhe të testimit paraprakisht të mekanizmave. Znj. Vallja u ndal në shpjegimin e shtyllave të ndërhyrjes që do të realizohen në saj rë zbatimit të nismës,  Identifikimi dhe integrimi në shkollë i rasteve të fëmijëve jashtë shkolle, të identifikuar nga zbatimi i Urdhrit të përbashkët nr 2, datë 5.1.2015 për miratimin e Rregullores (Rr3M) për zbatimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit “Për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të gjithë fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor”.

Gjatë diskutimeve pati një sërë ndërveprimesh nga ana e pjesëmarrësve, të cilët morën pjesë aktivisht në këtë takim, duke ndarë pikëpamjet dhe punën e tyre, mbi procesin e identifikimit të fëmijëve jashtë shkolle.

Në mbyllje të këtij takimi, u lanë për t’u realizuar detyrat si më poshtë:

Asistimi nga ana e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për DAR Durrës dhe drejtuesit e shkollave në lidhje me rolet, detyrat për t’u përmbushur për identifikimin dhe regjistrimin në shkollë të fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor.

Institucioni i Prefektit Durrës do të përgatis dhe dërgoj një shkresë zyrtare drejtuar MAS për këtë kërkese.

Rishikimi i listës emërore të fëmijëve nga ana e DAR Durrës.

Realizimi i një raporti të hollësishëm në lidhje me procesin e listave të fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor (identifikimit, verifikimit dhe regjistrimit).

Raporti duhet t’i përcillet Komisariatit të Policisë Durrës dhe Bashkisë Durrës, duke vënë në dijeni institucionin e Prefektit Durrës.