Vizitë Kortezie

August 28, 2018

Prefekti i Qarkut Durrës Z. Roland Nasto priti në një vizitë kortezie Kapitenë të rangut të dytë të anijes– shkollë ushtarake Rumune “Mircea” e cila është ankoruar në Portin e Durrësit dhe do të zhvillojë një vizitë portuale disa ditore.

Prefekti  vlerësoj  vizitën e tyre si shprehje të miqësisë së hershme dhe bashkëpunimit  midis dy popujve e dy shteteve.  Prefekti gjithashtu i njohu ata me vlerat historike, arkeologjike, kulturore dhe turistike të gjithë qarkut dhe në veçanti të portit më të madh në vend siç është Porti i Durrësit.
Gjatë takimit, Kolonel Florin Tutuianu- Atashe Ushtarak i Rumanisë në Tiranë dhe Kapiteni i Rangut të II-të Tarhoaca Mircea  sqaruan  disa të dhëna mbi këtë anije shkollë si dhe qëllimin e vizitës së tyre, pjesë e të cilës është dhe  forcimi i bashkëpunimit midis të dy vendeve, trajnimi i përbashkët midis Forcave Detare Shqiptare dhe Flotës Rumune si dhe njohja me bregdetin, bukuritë dhe traditat e vendit tonë.

Gjatë takimit të zhvilluar u shkëmbyen dhurata simbolike, ndërsa Kapiten Tarhoaca Mircea  falenderoi Prefektin e Qarkut, për pritjen e organizuar dhe  ftoi atë të vizitoj  anijen së bashku me zyrtarët e institucionit të tij.

Stafi i Institucionit të Prefektit gjatë paradies së datës 28.08.2018 u prit në bordin e anijes – velier nga komandanti Tarhoaca Mircea, i cili së bashku me personelin e anijes  u kujdesën për vizitën. U vizituan mjediset e anijes, stafi u informua për kushtet e stërvitjes dhe të lundrimit të studentëve, që përgatiten për pjesën praktike në velierën me moshë 80-vjeçare.

“Mircea” është një anije me tre direkë e ndërtuar në vitin 1938 në kantierin detar të Hamburgut “Blohm und Voss” si një anije mësimore për forcat ushtarake-detare të Rumanisë.
Projekti i “Mirça-s” bazohet në projektin e suksesshëm “Gorh Fok”.
Pas Luftës së Dytë Botërore, anija përkohësisht ndodhej në ish-BRSS, më pas iu dorëzua Rumanisë. Në vitin 1966, anija bëri riparim kapital në kantierin “Blohm & Voss”. Gjatësia e përgjithshme e anijes është 82.1 m, gjerësia 12 m dhe ka 23 vela me sipërfaqe të përgjithshme 1800 m².

Anija Mircea u nis nga porti i Konstancës dhe po zhvillon një lundrim ndërkombëtar mësimor. Ajo ka mbërritur në portin e Durrësit paraditen e së hënës dhe të mërkurën do të vazhdojë lundrimin drejt Kroacisë dhe Greqisë.
Ekuipazhi i anijes përbëhet nga 182 persona, përfshirë 38 studentë të Akademisë Detare “Mirça çel Bëtrën”, 43 kursantë dhe 13 instruktorë nga Gjermania, si dhe 12 kursantë nga Bullgaria, Kina, Britania e Madhe, Polonia, Turqi dhe Ukraina.