Takim Dt 17.05.2018 Mbi marrjen e masave paraprake parandaluese kundër rënies së zjarreve në Qark.

Në Institucionin e Prefektit të Qarkut Durrës nën drejtimin e Prefektit Z. Roland Nasto, u zhvillua sot një takim në kuadër të masave të marra për parandalimin e rënies së zjarreve ku morën pjesë:

Zv. Kryetarë të Bashkive  Durrës, Shijak dhe Krujë, Drejtues të  MZSH-ve,  Specialistë të Sektorit të Pyjeve në këto Bashki, Administratorët e Njësive Administrative,  Inspektoriatit Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve, Drejtoria Rajonale e Zonave të Mbrojtura, Sektori i Mbrojtjes ndaj Zjarrit dhe Shpëtimit, përfaqësues të Policisë Pyjore, Përfaqësues të Policisë së Qarkut dhe të gjithë specialistët e Emergjencave.

Qëllimi i këtij takimi ishte: Marrja e masave paraprake nga Bashkitë, Njësitë Administrative, Strukturat e shërbimit të MZSH për planifikimin, përgatitjen e elementëve të gadishmërisë, për organizimin, parandalimin e zjarreve dhe shuarjes së tyre, rritjes së aftësive drejtuese për reagimin e menjëhershëm, si dhe në bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve me institucionet dhe strukturat e tjera të Qarkut për përballimin e situatave të rënies së zjarreve.

Në fjalën e tij Prefekti Z. Nasto theksoi  rritjen e sensibilizimit institucional dhe qytetar me qëllim parandalimin e situatave por edhe përballimit me efiçensë të situatave që mund të shfaqen. Policisë së Shtetit i del si detyrë që në bashkëpunim edhe me Njësitë Administrative  të organizojë takime me komunitetin për sensibilizimin e tyre dhe  për njohjen me legjislacionin.
Ai nënvizoj faktin se gjatë kësaj periudhe të gjithë strukturat planifikuese dhe operuese që janë të vendosura dhe veprojnë në të gjithë qarkun, duhet të veprojnë, duke monitoruar territorin, bashkërenduar punën sipas një skeme të mirë përcaktuar për të ndërhyrë në kohë dhe shpejtësi në çdo ngjarje zjarri që mund të krijohet. Në këtë takim u trajtuan edhe probleme specifike konkrete që shërbejnë si bazë për të parandaluar situata të mundshme në të adhmen.

Prefekti nënvizoj se do të arrihet deri në ndjekje penale  në zjarrvëniet e qëllimshme dhe pakujdesitë që shkaktojnë zjarre,  mbajtjen e  kontakteve të vazhdueshme  dhe  marëdhenien e bashkëpunimit me Njësitë Administrative, për shkëmbimin e informacioneve për çdo rast që mund të shfaqet. Edhe Bashkitë sidomos Durrës dhe Krujë duhet të kenë në vëmëndjen e tyre zonat turistike që paraqesin rrezikshmëri më të lartë, të rivlerësojnë masat dhe strukturat përkatëse planifikuese dhe operuese, duke ushtruar kontroll periodik të këtyre zonave.

Mbrojtja ndaj Zjarrit dhe Shpëtimit (MZSH-ja) sipas planit të hartuar duhet të mbajnë në gadishmëri automjetet zjarrfikëse dhe personelin  për këtë periudhë.
Këto struktura  duhet të raportojnë pranë Institucionit të Prefektit për situatën reale që ndodh në terren. Rëndësia e bashkëpunimit konkret, shkëmbimit të informacionit sipas skemës së situatave të emergjencave në kohë do të bëj të mundur përballimin me efiçense të çdo situate që mund të shkaktohet gjatë kësaj periudhe. 

Në përfundim nga Prefekti i Qarkut u lanë detyra konkrete për të gjithë anëtarët e kësaj tryeze si dhe u kërkua bashkëpunim i vazhdueshëm.